
LDK kërkon vendim të drejtë nga Kushtetuesja: T’i jepet fund bllokadës institucionale
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese një vendim të drejtë që do t’i japë fund bllokadës institucionale të shkaktuar nga mospërmbushja e obligimeve kushtetuese nga partia e parë në zgjedhje.
Në një komunikatë për media, LDK thekson se subjekti fitues ka refuzuar të propozojë Kryetarin e Kuvendit në seancën konstituive, duke u përpjekur në mënyrë të përsëritur – 48 herë – të imponojë votime jashtë rendit të ditës dhe kundër procedurës kushtetuese.
“Kjo sjellje ka prodhuar bllokadë të qëllimshme dhe ka dëshmuar mungesën e vullnetit dhe kapacitetit për të ushtruar përgjegjësinë kushtetuese,” thuhet në deklaratë.
LDK argumenton se, në përputhje me praktikën kushtetuese dhe vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, nëse subjekti i parë dështon të sigurojë shumicë, e drejta për të propozuar kandidatin për Kryetar Kuvendi duhet t’i kalojë shumicës parlamentare.
LDK rithekson përkushtimin për ruajtjen e rendit kushtetues dhe kërkon që Gjykata të japë një vendim në përputhje me frymën e Kushtetutës, duke i hapur rrugë rikthimit të normalitetit institucional.

