Rritet çmimi i arit, pas arrestimit të Maduros

Rritet çmimi i arit, pas arrestimit të Maduros

Çmimet e metaleve të çmuara janë rritur ndjeshëm pas kapjes së presidentit venezuelian Nicolás Maduro nga SHBA. Kjo ka shtuar shqetësimet e investitorëve për rreziqet gjeopolitike.

Në tregjet aziatike të së hënës, ari u rrit me rreth 1.8%, duke arritur 4,408 dollarë për ons.

Argjendi shënoi një rritje edhe më të madhe, rreth 3.5%.

Investitorët po kërkojnë asete të sigurta për të mbrojtur kapitalin e tyre. Ndërkohë, çmimet e naftës mbetën relativisht të qëndrueshme, pa luhatje të mëdha. Bursat në Azi-Paqësor shënuan kryesisht rritje gjatë seancës së mëngjesit.

Ari kishte arritur nivel rekord më 26 dhjetor, me 4,549.71 dollarë për ons, dhe gjatë vitit 2025 u rrit mbi 60%. Analistët thonë se çmimet e arit po mbështeten nga pritshmëritë për ulje të normave të interesit dhe blerjet e bankave qendrore.

Ndërkohë, ekspertët thonë se ndikimi i ndërhyrjes amerikane në Venezuelë mbi çmimet e naftës do të jetë i kufizuar.

Prodhimi i naftës në Venezuelë përfaqëson vetëm rreth 1% të prodhimit global dhe rikuperimi kërkon investime të mëdha dhe kohë.

Megjithatë, tregjet e aksioneve në Japoni, Kore dhe Kinë u rritën, më shumë nga zhvillimet pozitive në SHBA dhe sektori i inteligjencës artificiale, sesa nga situata në Venezuelë.

Investitorët po ndjekin me vëmendje çdo zhvillim të ri për të vlerësuar rrezikun global. Analistët paralajmërojnë se tensionet politike mund të ndikojnë edhe në çmimet e metaleve dhe energjisë në ditët në vijim. /rtsh/

Share This