
RFEF nuk e lejon Modriçin të bëhet ndihmës i Mourinhos te Reali, ja arsyeja
Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) nuk do ta lejonte Luka Modriçin të merrte rolin e ndihmës trajnerit të Jose Mourinhos te Real Madridi, raportojnë mediat spanjolle.
Sipas burimeve pranë Federatës së futbollit spanjoll, mesfushori kroat nuk i plotëson kriteret e nevojshme për të ushtruar një funksion të tillë, pasi aktualisht nuk posedon licencën e kërkuar të trajnerit nga RFEF.
Spekulimet për një rikthim të Modriçit në “Santiago Bernabeu” janë shtuar ndjeshëm ditët e fundit, sidomos pas raportimeve se Jose Mourinho pritet të marrë drejtimin e Real Madridit në sezonin e ardhshëm.
Kontrata e veteranit kroat me Milanin skadon më 30 qershor dhe, megjithëse ekziston mundësia e rinovimit edhe për një vit tjetër, mediat italiane dhe spanjolle raportojnë se 40-vjeçari po shqyrton seriozisht pensionimin nga futbolli pas përfundimit të Kupës së Botës.
Kjo ka nxitur aludime për një rol të mundshëm të tij në strukturat sportive të Real Madridit ose Milanit, por aktualisht një angazhim si ndihmës i Mourinhos duket i pamundur për shkak të pengesave administrative dhe rregulloreve të federatës spanjolle.
Modriç konsiderohet një nga legjendat më të mëdha në historinë e Real Madridit. Gjatë periudhës së tij në klubin madrilen, ai fitoi plot 28 trofe, duke u bërë lojtari më i dekoruar në historinë e klubit.
Presidenti Florentino Perez vazhdon ta vlerësojë lart kroatin dhe, sipas raportimeve, dyert e “Santiago Bernabeut” mbeten gjithmonë të hapura për rikthimin e tij në një rol të ardhshëm në klub.
Megjithatë, Modriç ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar lidhur me të ardhmen e tij, ndërsa një njoftim zyrtar pritet në javët e ardhshme.

