Kosovarët të zhytur në kredi, bankat arrijnë afro 7 miliardë euro kredi aktive

Kosovarët të zhytur në kredi, bankat arrijnë afro 7 miliardë euro kredi aktive

Sektori bankar në Kosovë ka vazhduar trendin e rritjes së kreditimit edhe gjatë muajit prill 2026.

Sipas raportit më të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), kreditë bruto të bankave komerciale kanë arritur në 6.96 miliardë euro.

Kjo paraqet një rritje mujore prej 103.30 milionë euro ose 1.51 për qind krahasuar me muajin mars, duke reflektuar vazhdimin e aktivitetit kreditues në ekonomi.

Të dhënat e BQK-së tregojnë se vetëm gjatë muajit prill janë lëshuar kredi të reja në vlerë prej 235.72 milionë euro, ndërsa norma mesatare e interesit për kreditë e reja ka qenë 6.88 për qind.

Nga ana tjetër, asetet totale të bankave komerciale kanë shënuar një rënie të lehtë. Në fund të prillit ato kanë arritur në 9.76 miliardë euro, ose rreth 19.29 milionë euro më pak krahasuar me muajin paraprak.

Rënie është regjistruar edhe te depozitat e klientëve. Sipas raportit, depozitat kanë zbritur në 7.84 miliardë euro, që nënkupton një ulje prej 23.75 milionë euro në raport me marsin.

Megjithatë, gjatë prillit bankat kanë pranuar depozita të reja në vlerë prej 119.41 milionë euro, ndërsa norma mesatare e interesit për depozitat e reja ishte 3.29 për qind.

Raporti kredi-depozita gjatë muajit prill 2026 ka qenë 88.71 për qind, ndërsa margjina ndërmjet normave të interesit në kredi dhe depozita ka rezultuar në 3.60 për qind.

Ndërkohë, kapitali total i sektorit bankar ka arritur në 1.15 miliardë euro, teksa provizionet për kredi janë rritur në 161.04 milionë euro, duke reflektuar kujdesin e bankave ndaj rreziqeve potenciale financiare.

Share This