Real Madridi shkatërron Valencian, shkëlqen Mbappe

Real Madridi shkatërron Valencian, shkëlqen Mbappe

Real Madridi ka vazhduar formën e shkëlqyer në La Liga, duke mposhtur Valencian me rezultat bindës 4-0 në “Santiago Bernabeu” dhe duke regjistruar fitoren e dhjetë radhazi në shtëpi në kampionat, ndeshje kjo e luajtur të shtunën mbërma, raporton Rekordi.net.

Skuadra e Xabi Alonsos, e motivuar pas triumfit në “El Clasico”, e nisi ndeshjen me intensitet të lartë. Kylian Mbappe, Vinícius Junior dhe Jude Bellingham patën raste të hershme, derisa rezultati u zhbllokua në minutën e 18-të, kur pas një prekjeje me dorë të Cesar Tarrega në zonë, Mbappe realizoi me siguri nga pika e bardhë.

Vetëm 13 minuta më vonë, francezi shënoi përsëri – kësaj here pas një harkimi të bukur të Arda Guler, duke e dërguar topin në rrjetë me një goditje precize nga afërsia.

Në minutën e 35-të, pas një ndërhyrjeje të gabuar ndaj Vinicius Junior, Real fitoi edhe një penallti tjetër, por braziliani nuk arriti ta konkretizojë pasi goditja e tij u ndal nga portieri Julen Agirrezabala. Megjithatë, madrilenët nuk u ndalën – Bellingham shënoi golin e tretë me një depërtim të mrekullueshëm, duke e çuar rezultatin në 3-0 para pushimit.

Pjesa e dytë kaloi më e qetë, me Realin që menaxhoi epërsinë dhe mendjen te ndeshja e ardhshme në Champions League ndaj Liverpoolit.

Megjithatë, në minutën e 82-të, Alvaro Carreras vulosi fitoren me një gol spektakolar, duke shënuar golin e tij të parë për klubin.

Pas kësaj fitoreje, Real Madridi e thellon epërsinë në krye të tabelës me 7 pikë më shumë se ndjekësi më i afërt, ndërsa Valencia mbetet në zonën e rrezikshme, pa fitore në gjashtë ndeshjet e fundit në La Liga. /Rekordi.net

Share This