
Raste të shumta të dhunës në familje raportohen nga polica
Gjatë 24 orëve të fundit, policia ka regjistruar disa raste të dhunës në familje në Prishtinë, Gjilan, Pejë, Skenderaj dhe Mitrovicë, ku disa persona janë arrestuar dhe shumica e tyre janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Në Prishtinë, në orët e hershme të mëngjesit është raportuar se një çift prindërish ka pësuar dhunë fizike dhe psikike nga djali i tyre. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
Më vonë gjatë ditës, në një rast tjetër në kryeqytet, një mashkull kosovar është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht nënën e tij pas një mosmarrëveshjeje. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është ndalur me urdhër të prokurorit.
Edhe në fshatin Uglar të Gjilanit është arrestuar një person pasi ka kanosur një mashkull tjetër. Gjatë arrestimit, policia i ka konfiskuar një armë zjarri. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Pejë, policia ka arrestuar një burrë që ka kanosur dhe shqetësuar ish-bashkëshorten e tij. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar dhe do të hetohet në procedurë të rregullt.
Një rast i rëndë është raportuar në Skenderaj, ku një femër është sulmuar fizikisht nga kunati i saj. Ajo ka marrë trajtim mjekësor dhe është dërguar në strehimore për siguri. I dyshuari është ndaluar me vendim të prokurorit.
Në Mitrovicë, policia ka arrestuar një mashkull pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje, raporton rtk.
Policia e Kosovës bën të ditur se të gjitha rastet janë duke u trajtuar sipas procedurave ligjore dhe apelon për raportim të vazhdueshëm të dhunës në familje.


