Rama: Merr udhë hekurudha kuqezi, lidh Durrësin me Prishtinën

Rama: Merr udhë hekurudha kuqezi, lidh Durrësin me Prishtinën

Hekurudha Durrës-Prishtinë konsiderohet një ndër veprat infrastrukturore më të rëndësishme për kombin dhe ekonominë e rajonit në tërësi.

Hekurudha parashikohet të kalojë nga Durrësi, në Shkodër, për të vijuar në Gjakovë e më pas në Prishtinë, ndërkohë që ditën e djeshme u prezantua edhe studimi i fizibilitetit të kësaj vepre.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje të gjurmës në të cilën do të kalojë kjo hekurudhë, ndërsa u shpreh se “hekurudha kuqezi tashmë merr udhë”.

Hekurudha që lidh Durrësin me Prishtinën, ka rëndësi jo vetëm për transportin komercial pasi lidh portin e Durrësit me portin e thatë të Prishtinës, por edhe për transportin alternativ, pasi krijon më tepër alternativa udhëtimi midis dy vendeve.

Me përfundimin e studimit të fizibilitetit, do të hapet gara ndërkombëtare e kombinuar midis dy vendeve për të nisur menjëherë ndërtimi i kësaj hekurudhe që është cilësuar si një ëndërr e madhe e mbetur pa realizuar.

Kjo hekurudhë do të ndërlidhet me Korridorin VIII si dhe me Korridorin X, por nga ana tjetër prek edhe Korridorin Adriatiko-Jonian në një gjatësi shumë të rëndësishme të tij, duke e kthyer kështu si një nyje ndërlidhëse të tre korridoreve europiane dhe duke i dhënë kësaj hekurudhe, në dukje kombëtare, një rëndësi të veçantë për të gjithë zhvillimin ekonomik dhe gjeopolitik të Europës Juglindore, raporton atsh.

Share This