
Qeveria “Rama 4” bën betimin në Presidencë. Kabineti i ri nis zyrtarisht detyrën
Një ditë pas miratimit në Kuvend të kabinetit të ri qeveritar, kryeministri Edi Rama dhe 16 ministrat janë betuar sot në Presidencë. Pas betimit, Rama dhe ministrat u nisën në këmbë drejt Kryeministrisë, ku u mbajt edhe mbledhja e parë e qeverisë.

Të premten e kaluar, më 12 shtator, Presidenti Bajram Begaj e dekretoi Edi Ramën si kryeministër për herë të katërt që prej vitit 2013.
Programi i qeverisë dhe anëtarët e Këshillit Ministror u miratuan me 82 vota ditën e djeshme (18 shtator), në një seancë të shoqëruar me tensione të forta.
Edhe pse ishte parashikuar një mbledhje maratonë e Kuvendit, e gjitha zgjati vetëm 25 minuta. Opozita kontestoi një transmetim filmik të ministres virtuale “Diella”, duke bllokuar foltoren dhe duke mos e lejuar kryeministrin Rama që të vijonte më tej me prezantimin e programit qeverisës. Kjo bëri që kreu i Kuvendit të kalonte menjëherë për votim programin dhe përbërjen e re të kabinetit qeveritar.
Ndërkohë, PD ka kërkuar përsëritjen e seancës dhe po ashtu ka njoftuar se do të fillojnë procedurat për mocion për shkarkimin e Peleshit si kryetar i Kuvendit.
Përbërja e Qeverisë
- Edi Rama, Kryeministër
Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale, “Diella” - Belinda Balluku, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë
- Elisa Spiropali, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme
- Albana Koçiu, Ministër i Punëve të Brendshme
- Petrit Malaj, Ministër i Financave
- Blendi Gonxhja, Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit
- Sofjan Jaupaj, Ministër i Mjedisit
- Mirela Kumbaro Furxhi, Ministër i Arsimit
- Evis Sala, Ministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
- Delina Ibrahimaj, Ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit
- Besfort Lamallari, Ministër i Drejtësisë
- Pirro Vengu, Ministër i Mbrojtjes
- Andis Salla, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
- Ervin Demo, Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor
- Majlinda Dhuka, Ministër Shteti dhe Kryenegociator
- Adea Pirdeni, Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin
- Toni Gogu, Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin /rtsh/


