
PSG fiton Kupën Interkontinentale të FIFA-s, mposht Flamengon
Paris Saint-Germain ka hyrë në histori duke u bërë klubi i parë francez që fiton Kupën Interkontinentale të FIFA-s.
Kampionët në fuqi të Evropës mundën Flamengon, me rezultat 2-1 pas ekzekutimit të penalltive pasi koha e rregullt dhe loja në vazhdime u mbyll baras 1-1, ndeshje e luajtur në stadiumin “Ahmad bin Ali” në Al Rayyan të Katarit.
PSG e nisi ndeshjen me vendosmëri, duke ushtruar presion të madh që në minutat e para. Parisienët shënuan herët me Fabian Ruiz, por goli u anulua pas rishikimit nga VAR-i. Me kalimin e minutave, Flamengo u stabilizua dhe krijoi rastet e veta, por portieri rus Matvei Safonov u shfaq i sigurt.
Goli i avantazhit për parisienët erdhi në fund të pjesës së parë, kur Khvicha Kvaratskhelia përfitoi nga një top i ulët në zonë dhe e dërgoi në rrjetë për 1-0. Në pjesën e dytë, PSG pati raste për ta mbyllur ndeshjen, por Flamengo u rikthye në lojë pas një penalltie të akorduar me VAR, të cilën Jorginho e shndërroi në gol për 1-1.
Deri në fund të kohës së rregullt dhe vazhdimeve, të dyja skuadrat patën mundësi për ta fituar ndeshjen, por pa sukses.
Gjithçka u vendos nga penalltitë, aty ku Safonov u shndërrua në hero absolut, duke pritur katër goditje dhe duke i dhënë PSG-së fitoren 2-1 në seri.
Ky sukses shënon fitoren e 50-të të PSG-së në të gjitha garat gjatë vitit 2025 dhe trofeun e gjashtë për këtë vit kalendarik, duke konfirmuar një sezon historik për klubin parizien.
Për Flamengon, mbetet i vetmi titull global ai i vitit 1981.


