Presidentja Osmani pranon kredencialet e ambasadorit të ri të Gjermanisë në Kosovë

Presidentja Osmani pranon kredencialet e ambasadorit të ri të Gjermanisë në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar sot letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.

Gjatë ceremonisë së pritjes zyrtare, presidentja Osmani vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, duke theksuar se Gjermania ka qenë dhe mbetet një nga aleatët më të fortë të Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit shtetëror dhe ndërkombëtar.

“Gjermania ka qëndruar përkrah Kosovës në çdo etapë të shtetndërtimit dhe mbetet një mbështetëse e palëkundur e rrugës sonë drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s,” deklaroi presidentja Osmani, sipas njoftimit të Presidencës.

Në takim u diskutua për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, si dhe për roli e rëndësishëm të diasporës kosovare në Gjermani, e cila përmes angazhimit dhe investimeve të saj ka ndihmuar në thellimin e lidhjeve dypalëshe.

Presidentja Osmani shprehu besimin se gjatë mandatit të ambasadorit Rudolph, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Gjermanisë do të vazhdojnë të thellohen në fusha të ndryshme, duke përfshirë ekonominë, arsimin dhe bashkëpunimin institucional.

Ambasadori Rudolph, nga ana e tij, shprehu nderin për detyrën e re dhe përkushtimin për të avancuar partneritetin ndërmjet dy vendeve mike.

Share This