
Plani i paqes-Zelensky bisedime intensive me emisarët e presidentit amerikan Donald Trump
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zhvilluar bisedime intensive me emisarët e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff (emisar special) dhe Jared Kushner (dhëndri i Trumpit).
Bisedimet, të organizuara në kancelarinë gjermane nën pritjen e kancelarit Friedrich Merz, kanë zgjatur mbi 5 orë të dielën dhe rreth 90 minuta të hënën.
Delegacioni ukrainas, i udhëhequr nga sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Rustem Umerov, ka deklaruar se bisedimet ishin “konstruktive dhe produktive”, duke arritur progres real.
Umerov shkroi në rrjete sociale se “shpresojmë të arrijmë një marrëveshje që na afron më pranë paqes deri në fund të ditës”, pa dhënë detaje specifike për çështje të vështira si koncesionet territoriale apo garancitë e sigurisë.
Nga ana amerikane, Witkoff ka konfirmuar “progres të madh” pas takimit të së dielës, duke shtuar se negociatat do të vazhdojnë.
Pala amerikane këmbëngul për tërheqjen ukrainase nga rajoni i Donbasit lindor (sidomos Donetsk, ku Rusia kontrollon rreth 80-100% të territoreve), si kusht për paqe – një vijë e kuqe për Kievin.
Zelensky insiston në një armëpushim pa koncesione territoriale paraprake dhe në një “paqe të dinjitetshme” që pengon agresione të ardhshme ruse. /rtsh/


