Përparim Rama akuzon menaxhmentin e “Pastrimit” për keqpërdorim: Ka ardhur koha për përgjegjësi

Përparim Rama akuzon menaxhmentin e “Pastrimit” për keqpërdorim: Ka ardhur koha për përgjegjësi

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka vijuar përplasjen publike me ndërmarrjen publike “Pastrimi”, duke akuzuar drejtuesit e saj për keqmenaxhim sistematik dhe keqpërdorim të parasë publike, pavarësisht mbështetjes së madhe financiare nga komuna.

Në një reagim të fundit, Rama bëri të ditur se Komuna e Prishtinës ka ofruar ndihmë të konsiderueshme për këtë ndërmarrje, përfshirë 12 milionë euro në të hyra dhe subvencione, 1.4 milionë euro për blerjen e kamionëve të rinj, si dhe 3,800 kontejnerë të rinj të financuar plotësisht nga buxheti komunal.

Megjithatë, sipas tij, menaxhmenti i “Pastrimit” ka dështuar të përmbushë misionin bazë për pastrimin dhe mirëmbajtjen e qytetit.

“Përkundër kësaj mbështetjeje të konsiderueshme, menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje ka dështuar në mënyrë sistematike dhe ka prodhuar skandale të njëpasnjëshme për keqpërdorimin e parasë publike”, ka shkruar Rama në një postim në rrjetet sociale.

Ai ka ngritur një sërë pyetjesh të drejtpërdrejta për Kryeshefin e “Pastrimit”, për të cilat kërkon përgjigje publike:

Sa është paga juaj dhe sa paguhen anëtarët e menaxhmentit?

Pse janë ndarë bonuse në kohë humbjesh financiare?

Pse janë kërkuar miliona euro për “konsulenca”?

Si justifikohet punësimi i 900 punëtorëve për vetëm 30 kamionë?

Sa punëtorë janë punësuar nga janari deri në maj dhe me çfarë kriteresh?

Në përmbyllje të deklaratës së tij, Rama theksoi se “absurditeti, papërgjegjësia dhe keqpërdorimi menaxherial ka kaluar çdo kufi”, duke shtuar se “koha për përgjegjësi ka ardhur.”

Ky zhvillim vjen në mes të shqetësimeve të rritura publike për gjendjen e pastrimit në Prishtinë, e cila është kthyer në një temë të debatit politik dhe qytetar në kryeqytet.

Share This