“Pensionimi më afër”, mediat ndërkombëtare e “vajtojnë” largimin e Messit nga Kombëtarja

“Pensionimi më afër”, mediat ndërkombëtare e “vajtojnë” largimin e Messit nga Kombëtarja

Argjentina ende nuk po e përtyp dot lajmin për largimin e Lionel Messit nga kombëtarja.

Mediat argjentinase dhe ato ndërkombëtare kanë reaguar me emocione ndaj vendimit të kapitenit legjendar për t’i dhënë fund aventurës me “Albicelesten”.

“Një histori e bukur, me ulje dhe ngritje, një histori e madhe”. Kështu e përshkruan e përditshmja argjentinase “Clarin” epokën e Leo Messit me kombëtaren, një ditë pas njoftimit për largimin e “Pleshtit” nga përfaqësuesja.

“Pas viteve të frustrimit me kombëtaren, kapiteni argjentinas arriti t’i shndërronte momentet e vështira në pikënisje drejt lavdisë”, shkruan “Clarin”.

E përditshmja argjentinase e përshkruan historinë e Messit me kombëtaren si një rrëfim që i kapërcen brezat dhe i kujton vështirësitë e shumta që ai i përjetoi përpara se t’i arrinte majat.

 

Edhe të përditshmet sportive spanjolle e ngrenë pyetjen se çfarë do të ndodhë me yllin argjentinas pas largimit nga kombëtarja.

“Messi, dhe tani? Një horizont i ri hapet për yllin argjentinas pasi e ka lënë kombëtaren. Ai ka kontratë me Inter Miamin deri në vitin 2028 dhe një mundësi të fundit për ta fituar Topin e Artë.”

Argjentina ende nuk po e beson plotësisht realitetin e ri dhe vendi duhet të përgatitet për një epokë pa kapitenin e përhershëm.

“Tani do të duhet të mësojnë të garojnë pa kapitenin e tyre të përjetshëm. Bota e pyet veten se çfarë do të ndodhë me kampionët e trefishtë të Argjentinës dhe, mbi të gjitha, çfarë do t’i rezervojë e ardhmja yllit nga Rosario”.

“Numri 10 largohet nga futbolli ndërkombëtar në moshën 39-vjeçare dhe gjithçka duket se tregon se fundi i karrierës së tij është tashmë pranë. Pavarësisht kësaj, Leo ende ka disa çështje të pambyllura”, vijon shkrimi.

“Times” e kujton zhgënjimin në Botëror

Edhe në Angli, vendimi i Messit ka marrë vëmendje të madhe. “Times” kujton se Messi po largohet nga kombëtarja pas zhgënjimit në Kupën e Botës, duke iu referuar humbjes së Argjentinës në finale nga Spanja verën e kaluar.

“Sulmuesi largohet për herë të dytë nga kombëtarja argjentinase pas humbjes në finale nga Spanja verën e kaluar dhe vdekjes tragjike të babait”, shkruan “Times”.

Kështu, pas 21 vitesh me fanellën e Argjentinës, një prej kapitujve më të mëdhenj në historinë e futbollit ndërkombëtar po shkon drejt fundit, transmeton Express.

Messi largohet nga “Albiceleste” si një prej legjendave më të mëdha të saj, pasi arriti ta fitojë Kupën e Botës, dy herë Copa Américan dhe shumë trofe të tjerë, duke e mbyllur një histori që për vite të tërë dukej se nuk do ta kishte një fund të lumtur.

Share This