
Muriqi pasi kaloi Eto’o-n: Faleminderit për ëndrrën e realizuar
Sulmuesi kosovar i Mallorca-s, Vedat Muriqi, vazhdon të shkëlqejë në La Liga, duke hyrë në historinë e klubit si golashënuesi më i mirë i tij në elitën spanjolle.
Me dy golat e realizuar në fitoren 3-0 ndaj Rayo Vallecano, Muriqi arriti kuotën e 55 golave, duke kaluar legjendën Samuel Eto’o.
Pas ndeshjes, sulmuesi kosovar shprehu mirënjohje të thellë për klubin dhe tifozët.
“Që nga dita e parë këtu, e kam ndjerë si shtëpinë time. Ishte një ndjenjë e veçantë dhe lidhja ime me Mallorcën ka qenë e jashtëzakonshme. Kur vendosa të qëndroj, e dija se doja të bëhesha legjendë këtu”, u shpreh Muriqi.
Ai theksoi se ky rekord është një nga arritjet më të mëdha personale:
“Faleminderit të gjithëve që më ndihmuan të realizoj një nga ëndrrat e mia – të tejkaloj Samuelin dhe të sfidoj veten. Me shtatë ndeshje të mbetura, dua të arrij sa më shumë”, theksoi as-i kosovar.
Muriqi foli edhe për rëndësinë e fitores, duke theksuar situatën e vështirë në tabelë.
“Ishte një fitore shumë e rëndësishme. Një ditë më parë rezultatet e rivalëve na çuan në zonën e rënies, por reagimi ynë ishte i shkëlqyer dhe tani jemi jashtë saj”, theksoi ai.
Në fund, ai komentoi me humor brohoritjet e tifozëve për “Topin e Artë”.
“Çfarë Topi të Artë? Tifozët janë të çmendur! Unë thjesht po përpiqem të jap maksimumin dhe pastaj do të shohim çfarë do të vijë”, përfundoi ai.


