Pas SHBA-së, edhe Britania e Madhe tërheq personelin nga baza ajrore në Katar

Pas SHBA-së, edhe Britania e Madhe tërheq personelin nga baza ajrore në Katar

Mbretëria e Bashkuar ka tërhequr disa pjesëtarë të forcave ajrore nga baza Al Udeid në Katar, raporton iPaper.

Ky veprim vjen pas raportimeve se Shtetet e Bashkuara kanë larguar sot një pjesë të trupave nga e njëjta bazë, përpara një veprimi të mundshëm ushtarak kundër Iranit.

Transmetuesit amerikanë CBS dhe NBC raportuan se administrata amerikane ka filluar “evakuimin e qindra trupave” nga Al Udeid, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar.

Sipas NBC, Presidenti Donald Trump po shqyrton çdo veprim ushtarak që mund të ndërmarrë ndaj Iranit, ndërsa trupat po largohen për t’u mbrojtur nga rreziku i një hakmarrjeje të mundshme iraniane.

Teherani ka paralajmëruar më herët se bazat amerikane në rajon do të jenë shënjestër në rast se SHBA-të ndërmarrin sulm.

Kujtojmë se në qershorin e kaluar Irani nisi sulme ndaj bazës Al Udeid, pas goditjes së SHBA-së në uzinën e pasurimit bërthamor iranian, duke detyruar trupat amerikane të largoheshin me nxitim.

Katari, i cili shtrihet përballë Iranit në Gjirin Persik, ka konfirmuar se disa personel në bazën ushtarake amerikane janë urdhëruar të largohen “në përgjigje të tensioneve aktuale rajonale”. Në një deklaratë të zyrës së medias së shtetit të Gjirit thuhet se “Katari vazhdon të zbatojë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve dhe banorëve të tij si një përparësi kryesore, duke përfshirë veprimet që lidhen me mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe objekteve ushtarake”.

/rtsh.al/

Share This