Osmani takon Anu Prattipati: Zgjedhjet dhe konstituimi i institucioneve në fokus të bisedës

Osmani takon Anu Prattipati: Zgjedhjet dhe konstituimi i institucioneve në fokus të bisedës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u diskutua për mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe përmbushjen e standardeve më të larta demokratike, proces i cili u vlerësua lart nga të dyja palët.

“Duke vënë theksin në rëndësinë e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve, u ritheksua nevoja që ky proces të zhvillohet në përputhje të plotë me Kushtetutën”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Presidentja Osmani dhe Prattipati shkëmbyen gjithashtu pikëpamje për një sërë çështjesh të rëndësishme që lidhen me bashkëpunimin bilateral ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Me këtë rast, Osmani theksoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës për të ecur përpara krah për krah me SHBA-në, në frymën e besimit të ndërsjellë, vlerave të përbashkëta dhe bashkërendimit të ngushtë në proceset strategjike.

Në fund të takimit, Ngarkuara me Punë e SHBA-së, Anu Prattipati, i përcolli Presidentes Osmani dhe Zotërisë së Parë urimet për Vitin e Ri nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe Zonja e Parë, Melania Trump.

Share This