Osmani: Në Prekaz, familja Jashari zgjodhi lirinë dhe nderin para jetës

Osmani: Në Prekaz, familja Jashari zgjodhi lirinë dhe nderin para jetës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, në shënimin e 28 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se muaji mars ka një simbolikë të veçantë në historinë shqiptare. Ajo përmendi kontributin e ushtarëve dhe sakrificat që u bënë me 5, 6 dhe 7 mars.

Ajo u shpreh se marsi, i cili në mitologjinë e lashtë simbolizonte luftën dhe guximin, ishte muaji i përballjeve që përcaktuan drejtimin e historisë sonë.

Sipas saj, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në zemër të Prekazit, historia mori një drejtim të ri, ku qëndresa, sakrifica, heroizmi dhe e ardhmja u bashkuan në një vend.

Osmani theksoi se në bedenat e kullave në Prekaz qëndroi komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari, bashkë me gjithë familjen e tij, duke zgjedhur sakrificën përpara përkuljes.

“Ata zgjodhën lirinë para frikës dhe mbi të gjitha zgjodhën nderin para jetës.Ato tri ditë marsi u bënë muaji i epopesë dhe i sakrificës që lindi një komb të tërë. Familja Jashari u bë kala, ndërkaq kullat e tyre u bënë flamur i përhershëm i lirisë sonë”, deklaroi Osmani.

Presidentja Osmani, tha se tri datat e marsit përfaqësojnë momentin kur Kosova vendosi të mos jetojë e gjunjëzuar.

“Sot, kur kujtojmë 5, 6 dhe 7 marsin, rikujtojmë çastin kur Kosova vendosi të mos jetojë e përkulur. Tri ditët e Epopesë janë histori e shkruar me qëndresë, para së cilës përkulemi sot dhe do të vazhdojmë të përkulemi gjithmonë. 58 shpirtra u bënë dritë për një popull. Në ato ditë, krisma e armëve nuk ishte vetëm zhurmë baruti, por një thirrje për liri. Ishte kushtrimi që zgjoi Drenicën, Kosovën dhe mbarë kombin, por edhe ndërgjegjen e botës”, u shpreh ajo.

Më tej, Osmani theksoi se nga Prekaz nisi orteku i lirisë.

“Sipas saj, Epopeja e marsit nuk është vetëm një kujtesë emocionale, por një akt themelues i Republikës sonë dhe momenti kur pushka e qëndresës u shndërrua në zë politik të një kombi që kërkonte vendin e vet në botë si komb i lirë. Nga Prekazi filloi orteku i lirisë që nuk u ndal më. Aty nisi një frymë që u përhap në çdo fshat dhe qytet, si dhe një betim se kjo tokë nuk do të nëpërkëmbet. Epopeja është epike sepse buroi nga populli”, theksoi ajo.

Presidentja shtoi se Kosova ka detyrim kombëtar dhe moral që kujtesën historike ta shndërrojë në vizion politik dhe zhvillimor.

“Sot, kur përmendim emrin e Adem Jashari, komandantit legjendar, dhe të gjithë familjes Jashari, kujtojmë frymën dhe thirrjen që na rikujton se liria nuk është kurrë dhuratë, por sakrificë. Shteti është përgjegjësi, ndërsa flamuri që e përfaqëson është amanet. Familja Adem Jashari nuk është vetëm simbol i flijimit, por edhe i dinjitetit të lartë shtetëror. Me heshtje fisnike dhe qëndrim të palëkundur, familja Jashari vazhdon të qëndrojë aty ku e vendosi historia, në piedestalin më të lartë të sakrificës për atdheun. Duke kujtuar heronjtë dhe të kaluarën tonë, si dhe të gjithë dëshmorët që u flijuan për lirinë tonë, ne afirmojmë edhe të ardhmen. Kosova ka mësuar se liria kërkon vizion, vendosmëri dhe mbrojtje të vazhdueshme. Çdo qytetar është partner në këtë projekt kombëtar. Çdo vendim i drejtë dhe i mençur forcon themelet e shtetit tonë. Prandaj kemi detyrimin kombëtar dhe moral që kujtesën historike ta kthejmë në vizion politik dhe zhvillimor, në një Kosovë të fuqishme ku vendimmarrja strategjike dhe integriteti institucional sigurojnë prosperitet për brezat që vijnë. Ky është amaneti i Epopesë së Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha ndër të tjera Osmani. /rtk/

Share This