Osasuna trondit Real Madridin, s’mjafton magjia e Viniciusit

Osasuna trondit Real Madridin, s’mjafton magjia e Viniciusit

Osasuna ka marrë një fitore të madhe 2-1 ndaj Real Madridit në “El Sadar”, duke zgjatur serinë pa humbje në gjashtë ndeshje në La Liga (4 fitore, 2 barazime) dhe duke i dhënë fund ecurisë prej tetë fitoresh radhazi të “Los Blancos”, shkruan Rekordi.net.

Pas një fillimi të kujdesshëm, ku madrilenët dominuan me 72% posedim, ndeshja mori zjarr rreth minutës së 15-të.

Përplasjet e forta, sidomos ato që përfshinë Vinicius Junior, ndezën tribunat vendase. Ante Budimir paralajmëroi me një goditje të rrezikshme që kaloi pranë shtyllës, ndërsa më pas goditi edhe shtyllën me kokë.

Portieri belg Thibaut Courtois realizoi një pritje spektakolare me një dorë për të mbajtur në lojë madrilenët, por nuk mundi të bëjë asgjë kur u akordua penallti për vendasit. Budimir u tregua i saktë nga pika e bardhë për 1-0.

Në pjesën e dytë, madrilenët reaguan. Arda Guler ishte pranë golit me një goditje potente, ndërsa hyrja e Trent Alexander-Arnold i dha ritëm lojës së mysafirëve. Kylian Mbappe shënoi një supergol, por u anulua për pozitë jashtë loje.

Barazimi erdhi pas një aksioni model: Federico Valverde asistoi për Viniciusin, i cili nga afërsia realizoi për 1-1. Madrilenët shtuan presionin, por në minutën e fundit erdhi goditja fatale.

Raul Garcia realizoi një gol të jashtëzakonshëm individual për t’i dhënë fitoren e madhe Osasunës dhe për t’i dhënë fund serisë prej 24 ndeshjesh pa humbje të Real Madridit ndaj “Los Rojillos”, që datonte nga janari 2011.

Kjo humbje i hap rrugën Barcelonës për të marrë kreun e tabelës nëse triumfon ndaj Levante UD të dielën. /Rekordi.net

Share This