
Norris zgjedh numrin 1 për sezonin 2026: Traditë që nuk dua ta ndërpres
Kampioni i ri i botës në Formula 1, Lando Norris, do të garojë në Botërorin 2026 me numrin 1, duke lënë pas numrin e tij të zakonshëm, 4.
Piloti britanik ka vendosur të ndjekë traditën e kampionëve në fuqi, duke e lidhur këtë zgjedhje jo vetëm me veten, por edhe me ekipin McLaren.
“Është një traditë që nuk dua ta ndërpres. Po e bëj edhe për gjithë skuadrën,” tha Norris për “Sky Sport News”.
Ai theksoi se numri 1 nuk është thjesht simbol personal, por një nder për gjithë ekipin që ka punuar me përkushtim drejt titullit botëror.
“Duhet të japim gjithmonë maksimumin. Të gjithë ne si skuadër, mekanikët, inxhinierët, çdo njeri te McLaren që ka rol në makinën time, mund ta mbajë me krenari numrin 1. Nuk është vetëm për mua, është edhe për ta. Ata mund të thonë ‘jemi numri 1’. Do të jenë më të lumtur se unë,” shtoi piloti britanik.
Norris foli edhe për emocionet e fitimit të titullit të parë kampion bote.
“Ishte një moment i pabesueshëm, një arritje e madhe për mua dhe për shumë njerëz që kanë qenë pjesë e një rrugëtimi të jashtëzakonshëm. Duhet ta shijojmë, sepse është moment i rrallë për këdo. Një moment unik, që duhej ta bëja të paharrueshëm,” u shpreh ai.


