
Norfolk NATO Festival, Shqipëria spikat me kulturën dhe traditën
Në zemër të qytetit Norfolk, Virginia, Festivali i NATO-s (Norfolk NATO Festival ((NATO Fest)) edhe këtë vit u shndërrua në një skenë të gjallë të unitetit ndërkombëtar, ku flamujt e Aleancës u ngritën si simbol i bashkëpunimit dhe paqes mes kombeve.
Ceremonia e ngritjes së flamurit, e organizuar çdo vit në prill, në qendër të qytetit, shënoi hapjen zyrtare të festivalit dhe solli së bashku përfaqësues të vendeve anëtare të NATO-s, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe vlerave të përbashkëta.
Një nga atraksionet kryesore të festivalit ishte “NATO Village”, ku vendet pjesëmarrëse prezantuan kulturat e tyre përmes stendave dhe paradave me “float” shumëngjyrëshe. Në këtë atmosferë festive, Shqipëria u dallua me “Albanian float”, e cila shfaqi motive tradicionale, simbole kombëtare dhe elemente të pasura të trashëgimisë kulturore shqiptare, duke tërhequr vëmendjen e vizitorëve vendas dhe ndërkombëtarë.
Gjithashtu, për të 17-in vit radhazi, “Tenda Shqiptare” (Albanian Tent) u kthye në një nga pikat më të vizituara të Festivalit të NATO-s. Aty u prezantuan ushqime tradicionale shqiptare si byrek, qofte dhe ëmbëlsira shtëpie, duke ofruar një përvojë autentike të kuzhinës dhe mikpritjes shqiptare. Krahas ushqimit, u ekspozuan edhe elemente të muzikës dhe artizanatit tradicional.
Festivali i NATO-s (NATO Fest) në Norfolk vazhdon të shërbejë si një platformë e rëndësishme për shkëmbim kulturor dhe forcim të miqësisë mes vendeve anëtare dhe komunitetit lokal. /atsh/


