
Netanyahu godet Starmerin: Po shpërblen terrorizmin e Hamasit, paralajmëron se njohja e Palestinës kërcënon edhe Britaninë
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së homologut të tij britanik, Keir Starmer, për njohjen e mundshme të shtetit palestinez nga Mbretëria e Bashkuar.
Në një postim në rrjetin social ‘X’, Netanyahu e quajti këtë vendim të paralajmëruar si një “shpërblim për terrorizmin monstruoz të Hamasit”, duke theksuar se një shtet palestinez, sipas tij, do të përbënte kërcënim jo vetëm për Izraelin, por edhe për vetë Britaninë.
“Një shtet xhihadist në kufirin e Izraelit sot do të kërcënojë Britaninë nesër. Përpjekja për t’u dhënë terroristëve xhihadistë atë që ata duan do të dështojë përgjithmonë. Edhe ti do të dështosh! S’ka për të ndodhur,” deklaroi Netanyahu.
Këto deklarata vijnë pas vendimit të Starmer për të informuar kabinetin e tij se Britania do të njohë shtetin palestinez në shtator, në rast se Izraeli nuk ndërmerr hapa të qartë për t’i dhënë fund krizës humanitare në Gazë, përfshirë një armëpushim dhe angazhimin në një proces paqeje afatgjatë.
Njoftimi i Starmer pason deklaratën e presidentit francez Emmanuel Macron, i cili pak ditë më parë tha se Franca do të njohë shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator.
Lëvizjet e Britanisë dhe Francës po sinjalizojnë një presion në rritje ndërkombëtar ndaj Izraelit, në përpjekje për të ndalur luftimet dhe për të krijuar një perspektivë të re për paqen në Lindjen e Mesme. /Rekordi.net

