Nesër nis Fest 64, skenaristi Koloreto Cukali zbulon disa nga të ftuarit

Nesër nis Fest 64, skenaristi Koloreto Cukali zbulon disa nga të ftuarit

Pak orë para nisjes së Festivalit të 64-t të Këngës, ethet e garës kanë përfshirë jo vetëm artistët konkurrues, por edhe organizatorët.

Nën moton “Neo Albania Future”, ky edicion premton emocione dhe surpriza të shumta. Në skenën e festivalit më të rëndësishëm të muzikës së lehtë shqiptare do të performojnë jo vetëm artistët pjesëmarrës, por edhe të ftuar specialë.

Në të katër netët e festivalit, në skenë do të ngjiten emra të njohur të muzikës shqiptare dhe ndërkombëtare.

“Besoj është marrë vesh që do të vijë Tommy Cash, i cili është një personazh. Unë besoj që Eurovizioni i vitit që kaloi do të mbahet mend më shumë prej tij sesa prej fituesit apo ndonjë gjëje tjetër. Rikthejmë pas një viti në skenë Shkodrën Elektronike, një grup muzikor që na ka bërë të ndihemi shumë krenarë. Do të rikthehet Bleona Qereti me një performancë ekstravagante, pasi këtë vit shënohet 30-vjetori i këngës së saj të parë të kënduar në festival, ‘Lërmëni’. Ajo do ta rikthejë këtë këngë pas 30 vjetësh, po në atë skenë. Për t’i dhënë më shumë ngjyrë festivalit kemi ftuar edhe tenorin Ramë Lahaj, të cilën e kemi një kënaqësi të madhe ta kemi pjesë të këtij edicioni. Do të kemi gjithashtu edhe një kantautor si i ftuar, si dhe Vlashent Sata. Janë edhe dy momente të tjera me të ftuar, por nuk po i zbuloj sot, ndoshta është më bukur të vijnë si surprizë gjatë netëve të festivalit,” u shpreh Cukali.

Duket se këtë vit artistët do të shfaqen përpara publikut jo vetëm përmes interpretimit të këngëve të tyre, por edhe nëpërmjet performancave skenike.

Festivali i Këngës në RTSH do të mbahet në datat 17–20 dhjetor, në Pallatin e Kongreseve. /rtsh/

Share This