
Nëna Zahide, nëna që kurrë nuk u lodh duke përkundur lirinë…!
Shkruan: Fadil Nura, kryetar i Komunës së Skenderajt
Në ditën e lirisë, më 18 qershor 2025, në oborrin e çerdhes që mban me nder emrin e saj, do të përkulemi, jo thjesht para një skulpture, por para një shpirti që rrezaton përjetësi. Para një gruaje që nuk ishte vetëm nënë e fëmijëve të saj, por u bë Nëna e një kombi. Nëna Zahide Jashari – simbol i qëndresës, i dhembjes, i dashurisë dhe i sakrificës së shenjtë.
Kjo skulpturë që do merr dritën e ditës në oborrin e çerdhes që mban emrin e saj, është shumë më tepër se një përmendore. Është një përjetësim i dashurisë më të madhe: dashurisë së nënës për fëmijën, dhe dashurisë së një kombi për lirinë.
Nëna Zahide, me sytë plot dhimbje dhe krenari, qëndron e palëkundur pranë djepit. Përkundja e djepit është më shumë së një veprim i zakonshëm; ajo është një gjest i dashurisë, i besimit dhe i mbrojtjes, një reflektim i një lidhjeje që është e thellë, e pavdekshme dhe e papërshkrueshme. Ajo përkund jo vetëm trupin e një fëmije, por ëndrrën për liri. Me një dorë mbi djep dhe me tjetrën mbi gjurin e saj, ajo na kujton se heronjtë nuk lindin rastësisht – ato rriten nga duart dhe zemrat e nënave te tilla.
Skulptura e Nënës Zahide është një fjalë pa zë që flet shumë. Është një homazh për të gjitha nënat shqiptare, por edhe një thirrje për ne, që të mos harrojmë se liria që gëzojmë sot, ka ardhur nga djepi i përkundur me duar që nuk u lodhën kurrë së dashuruari atdheun.
Me vendosjen e kësaj skulpture, ne nuk po ngremë vetëm një monument prej bronzi, por po e ngulisim në kujtesën tonë të përbashkët një simbol të përjetshëm të sakrificës, guximit dhe dashurisë së pakushtëzuar për atdheun.
Nëna Zahide nuk ishte vetëm nënë e Adem e Hamëz Jasharit. Ajo ishte nëna e një ushtrie të tërë zemrash që rrahën për atdheun.
Në këtë hapësirë ku rriten fëmijët dhe fillojnë të mësojnë edhe për dashurinë ndaj atdheut, do të qëndrojë një nënë heroinë që ju ruan, ju buzëqesh, dhe ju bekon – Nëna Zahide.