Napoli i Rrahmanit mposht Romën në derbin italian, ngjitët në krye të Serie A

Napoli i Rrahmanit mposht Romën në derbin italian, ngjitët në krye të Serie A

SSC Napoli është ngjitur përkohësisht në krye të Serie A pas një fitoreje të madhe 1-0 në “Stadio Olimpico”, ku David Neres ishte heroi i mbrëmjes me golin e tij vendimtar në pjesën e parë, raporton Rekordi.net.

Ky sukses e forcon edhe më shumë dominimin e napolitanëve ndaj Romës në përballjet e fundit, me vetëm një humbje në 12 duelet e fundit direkte (7 fitore, 4 barazime).

Roma, që nisi takimin dy pikë mbi Napolin dhe po kalon një prej fillimeve më të mira të sezonit që nga viti 2017/18, kërkonte me ngulm rikthimin në krye pas fitores së Milanit ndaj Lazios. Por skuadra e Antonio Contes hyri fuqishëm në lojë, duke rrezikuar herët me Højlund dhe Di Lorenzo.

Pasi Svilar neutralizoi disa tentativa napolitane, Roma reagoi me dy mundësi të Evan Ferguson, por sulmuesi nuk arriti të gjejë portën. Vetëm pak çaste më vonë, një kundërsulm perfekt i Napolit solli epërsinë: Højlund shërbeu saktë për David Neres, i cili me qetësi e kaloi topin mbi Svilarn për 1-0.

Në pjesën e dytë, Napoli kërkoi golin e dytë, ndërsa Roma u hodh në sulm pas hyrjes së Paulo Dybala-s dhe El Aynaoui-t. Megjithatë, përpjekjet e verdhekuqve u ndalën vazhdimisht nga mbrojtja e hekurt e napolitanëve dhe portieri Milinković-Savić, i cili në minutën e 90-të bëri pritjen vendimtare ndaj Tommaso Baldanzi.

Në fund, Napoli ruajti me sukses avantazhin minimal dhe u ngjit mbi Romën në tabelë, duke e bërë garën për kreun edhe më të fortë. /Rekordi.net

Share This