
Mungesa e liderit suprem në funeralin e babait shton spekulimet për gjendjen e tij
Lideri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, nuk u shfaq në ceremoninë mortore të babait të tij, Ali Khamenei, ndërsa në homazhe morën pjesë tre vëllezërit e tij, presidenti Masoud Pezeshkian, komandanti i Trupave të Gardës Revolucionare Islamike, Ahmad Vahidi, si dhe mijëra qytetarë, shkruan BBC.
Mungesa e Mojtaba Khameneit ka shtuar spekulimet se, ai mund të jetë plagosur gjatë sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit, të cilat, sipas këtij skenari, i morën jetën Ali Khameneit.
Ai nuk është shfaqur në publik, që nga emërimi i tij si lideri suprem, në fillim të marsit.
Ceremonitë mortore nisën të premten dhe do të zgjasin për disa ditë, në Iran dhe Irak.
Autoritetet iraniane, presin pjesëmarrjen e 12 deri në 20 milionë njerëzve, duke e cilësuar ceremoninë si “funeralin e shekullit”.
Trupi i Ali Khameneit ndodhet në kompleksin fetar “Grand Mosalla” në Teheran.
Dita e sotme, u shpall festë kombëtare, ndërsa nesër, arkivoli do të përcillet në një marshim ceremonial në kryeqytet, për t’u dërguar më pas në Qom, në Irak dhe në fund në qytetin e lindjes, Mashhad, ku do të varroset.
Autoritetet iraniane kanë vendosur masa të rrepta sigurie, mes shqetësimeve se Izraeli mund të shënjestrojë edhe Mojtaba Khamenein.
Ndërkohë, armëpushimi mes Iranit dhe Izraelit vazhdon të mbahet, ndërsa bisedimet për një marrëveshje paqeje, janë pezulluar përkohësisht gjatë ceremonive mortore.
Sipas medias “Axios”, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se bisedimet janë shtyrë për një javë dhe se, me gjithë praninë e drejtuesve më të lartë iranianë në funeral, SHBA-ja “mund t’i eliminonte të gjithë me një goditje”, por nuk do ta bënte këtë, sepse “atëherë nuk do të kishte me kë të negocionte”.
Trump tha gjithashtu se ishte befasuar nga lotët e iranianëve për Ali Khamenein, duke sugjeruar se ato mund të ishin “lot të rremë”.
Gjatë ceremonisë u dëgjuan gjithashtu thirrje “Vdekje Amerikës”, “Vdekje Izraelit”, si dhe slogane kundër Donald Trump dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.
Sipas autoriteteve, vetëm në Teheran pritet të marrin pjesë mbi 10 milionë njerëz, ndërsa deri tani më shumë se 4 000 persona kanë marrë ndihmë mjekësore, për shkak të vapës dhe fluksit të madh të pjesëmarrësve, pa raportime viktimash. /atsh/

