Mjegull dhe rrugë të lagështa, Policia kërkon kujdes të shtuar nga shoferët

Mjegull dhe rrugë të lagështa, Policia kërkon kujdes të shtuar nga shoferët

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes në kushte të motit me mjegull, shi dhe rrugë të lagështa, të cilat mund të rrisin rrezikun e aksidenteve.

Përmes një apeli për sigurinë rrugore, Policia ka theksuar rëndësinë e përshtatjes së shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe dukshmërinë në rrugë, si dhe ruajtjen e distancës së sigurisë ndërmjet automjeteve.

Drejtuesve të automjeteve u rekomandohet të ulin shpejtësinë, të përdorin dritat e mjegullës kur është e nevojshme dhe të dyfishojnë distancën e sigurisë me automjetin përpara.

Kujdes i veçantë kërkohet edhe ndaj motoçiklistëve dhe biçiklistëve, të cilët janë më të rrezikuar në kushte të tilla atmosferike.

Policia u bën thirrje edhe këmbësorëve që të jenë më të vëmendshëm pranë vendkalimeve, pasi shiu dhe mjegulla mund ta zvogëlojnë dukshmërinë dhe të vështirësojnë reagimin e drejtuesve të automjeteve.

Ndërkaq, pasagjerët duhet të sigurohen që ta përdorin rripin e sigurisë gjatë gjithë udhëtimit, raporton rtk.

“Drejto me kujdes, mbro veten dhe të tjerët!” është mesazhi i apelit të Policisë, e cila u rikujton qytetarëve se ndryshimi i kushteve atmosferike kërkon edhe ndryshim të sjelljes në trafik.

Share This