Meksika nën terror, karteli drogës sulmon me makina portat e burgut, arratisje masive të të burgosurve

Meksika nën terror, karteli drogës sulmon me makina portat e burgut, arratisje masive të të burgosurve

Meksika është përfshirë nga dhuna dhe flakët pas operacionit të forcave speciale që përfundoi me vrasjen e Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, lideri i kartelit të Jalisco New Generation Cartel.

Pas vrasjes së tij, qyteti turistik Puerto Vallarta u përfshi nga dhuna e armatosur, teksa anëtarët e kartelit sulmuan me makina portat e burgut dhe mundësuan arratisjen e 23 të burgosurve. Bilanci i deritanishëm është tragjik: mbi 70 persona të vrarë, përfshirë 25 pjesëtarë të Garda Kombëtare të Meksikës.

Sekretari i Sigurisë, Juan Pablo Hernandez, konfirmoi se autoritetet po punojnë ngushtë me shtetet fqinje për të kapur të arratisurit, të cilët konsiderohen me rrezikshmëri të lartë.

Qyteti bregdetar u gdhi nën tym dhe makina të djegura, duke detyruar banorët dhe turistët të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi. Shumë linja ajrore pezulluan fluturimet, ndërsa anijet turistike ndryshuan kursin për të shmangur zonën e konfliktit.

“El Mencho” ishte njeriu më i kërkuar në Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara, me një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për kapjen e tij. Ai u lokalizua nga inteligjenca ushtarake duke ndjekur lëvizjet e njërit prej partnerëve të tij, çka çoi në rrethimin final në qytetin e Tapalpa.

Autoritetet mbeten në gatishmëri maksimale, duke paralajmëruar se vdekja e bosit ka shkaktuar një valë hakmarrjeje të dhunshme nga anëtarët e mbetur të kartelit. /rtsh/

Share This