
Mefail Bajqinovci akuzon LDK-në për krizë dhe pengesa në Prishtinë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka reaguar ashpër ndaj LDK-së, duke deklaruar se kjo parti ndodhet në një krizë të brendshme dhe po tenton të krijojë probleme të reja në kryeqytet.
Përmes një postimi në Facebook, Bajqinovci tha se LDK-ja po përpiqet të sajojë një krizë për të vështirësuar jetën e qytetarëve të Prishtinës dhe për t’ia hedhur fajin Qeverisë, si dhe për të sulmuar VV-në.
Ai theksoi gjithashtu se Thesari ka alokuar mjetet për Komunën e Prishtinës, por komuna nuk ka kryer asnjë pagesë:
“LDK-ja është në krizë dhe e di që në zgjedhjet e ardhshme do të mbetet prapë në vendin e tretë, si zakonisht. Tash po mundohet ta shpikë një krizë të re, duke ua vështirësuar jetën qytetarëve në Prishtinë e krejt këtë për t’ia mvesh Qeverisë dhe për ta goditur Lëvizjen. Thesari ia alokon mjetet komunës, por komuna s’ka kryer asnjë pagesë”, ka shkruar Bajqinovci.
Reagimi vjen në një kohë tensioni rreth ndërprerjes së shërbimeve urbane dhe akuzave të ndërsjella mes pushtetit qendror dhe Komunës së Prishtinës.

