Marrëveshja SHBA-BE shmang përshkallëzimin e tarifave, por rrit kostot për kompanitë evropiane

Marrëveshja SHBA-BE shmang përshkallëzimin e tarifave, por rrit kostot për kompanitë evropiane

Presidenti  amerikan Donald Trump dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë shpallur një marrëveshje të gjerë tregtare që vendos tarifa 15% për shumicën e mallrave evropiane, duke shmangur kërcënimin e Trump për një tarifë 30% nëse nuk arrihej marrëveshje deri më 1 gusht, sipas AP-së

Tarifat , ose taksat e importit që paguhen kur amerikanët blejnë produkte evropiane.  mund të rrisin çmimet për konsumatorët amerikanë dhe të dëmtojnë fitimet për kompanitë evropiane dhe partnerët e tyre që sjellin mallra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Çfarë duhet të dini për marrëveshjen SHBA-BE?

Detaje të shumta ende të paqarta

Trump dhe von der Leyen e shpallën marrëveshjen gjatë një vizite të  presidentit Trump në një nga fushat e tij të golfit në Skoci, por shumë detaje mbeten për t’u sqaruar.

Tarifa kryesore është 15% për “shumicën dërrmuese” të mallrave evropiane që hyjnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë makina, mikroçipa dhe medikamente. Kjo është më e ulët se propozimi fillestar 20% i Trump dhe më e ulët se “kërcënimet” e mëparshme 50% e 30%.

Von der Leyen tha se të dyja palët ranë dakord për tarifa zero në të dy drejtimet për mallra “strategjike”: avionë dhe pjesë avionësh, kimikate të caktuara, pajisje për gjysmëpërçues, disa produkte bujqësore dhe disa burime natyrore e materiale të papërpunuara kritike. Detajet nuk u bënë të qarta.

Ajo shtoi se të dy palët “do të vazhdojnë punën” për të shtuar më shumë produkte në këtë listë.

Bashkimi Evropian do të blejë energji amerikane me vlerë 750 miliardë dollarë

BE do të blejë gaz natyror, naftë dhe lëndë bërthamore me vlerë 750 miliardë dollarë nga SHBA –ja për të zëvendësuar furnizimet nga Rusia.

Tarifa 50% mbi çelikun mbetet

Trump konfirmoi se tarifa 50% për çelikun e importuar do të mbetet. Von der Leyen tha se “do të ketë bisedime të mëtejshme për të luftuar tepricën globale të çelikut dhe për të vendosur kuota importi”.

Medikamentet dhe produktet bujqësore jashtë marrëveshjes

Medikamentet nuk janë përfshirë në marrëveshje. Von der Leyen tha se “çështja e medikamenteve është në një fletë të veçantë nga marrëveshja e djeshme” . Për produktet bujqësore, ajo tha se BE -ja kishte “tarifa që nuk mund të uleshin,” pa dhënë më shumë detaje.

Tarifa 15% , shumë më e lartë se më parë

Edhe pse tarifa 15% shmang 30% e premtuar nga  presidenti Trump, është shumë më e lartë se tarifa mesatare përpara se ai të merrte detyrën (rreth 1%) dhe më e lartë se niveli bazë 10% gjatë negociatave.

Kjo do të thotë që shitësit në Shtetet e  Bashkuara të  Amerikës do të duhet ose të rrisin çmimet për konsumatorët , duke rrezikuar humbje tregu, ose të përballojnë koston shtesë në formë fitimesh më të ulëta.

Kompanitë evropiane pritet të humbasin fitime nga eksportet, dhe kjo mund të ngadalësojë ekonominë.

Komisioni Evropian uli parashikimin për rritjen ekonomike këtë vit nga 1.3% në 0.9% për shkak të tarifave prej 10% të mëparshme.

Von der Leyen tha se tarifa 15% ishte “më e mira që mundëm të arrinim” dhe e vlerësoi marrëveshjen për “qasje të vazhdueshme në tregun amerikan dhe stabilitet për kompanitë në të dy anët.”

Investime evropiane shtesë në SHBA

BE ka premtuar investime shtesë në SHBA me vlerë 600 miliardë dollarë (511 miliardë euro), por nuk u sqarua se nga do të vijnë fondet.

Industria automobilistike pret rritje çmimesh

Von der Leyen tha se tarifa 15% është më e ulët se 27.5% që përfshin tarifën 25% të Trump për të gjitha makinat e huaja, plus tarifën ekzistuese 2.5%.

“Volkswagen” raportoi humbje prej 1.3 miliardë eurosh në gjysmën e parë të vitit për shkak të tarifave. Tregtarët  e “Mercedes-Benz” në SHBA thanë se do të mbajnë të pandryshuara çmimet për modelet e vitit 2025 “deri në një njoftim të dytë.” Rreth 35% e makinave” Mercedes” që shiten në SHBA prodhohen në Tuscaloosa, Alabama, por kompania pret “rritje të ndjeshme të çmimeve” në vitet në vijim.

Trump përmendi bilancin tregtar

SHBA-ja dhe BE-ja kanë marrëdhënien më të madhe tregtare dypalëshe në botë, me rreth 2 trilionë dollarë tregti vjetore. Së bashku përfaqësojnë 44% të ekonomisë globale.

Trump është ankuar për suficitin tregtar të BE-së prej 198 miliardë eurosh në mallra, duke theksuar se amerikanët blejnë më shumë nga Evropa sesa e kundërta. Ai ka thënë se tregu evropian nuk është i hapur mjaftueshëm për makinat amerikane.

Megjithatë, kompanitë amerikane e balancojnë pjesërisht këtë deficit me fitime nga shërbimet si cloud computing, turizëm, shërbime ligjore dhe financiare. Sipas Bankës Qendrore Evropiane, rreth 30% e importeve evropiane vijnë nga kompani që janë në pronësi amerikane. /atsh/

Share This