
Maqedonci reagon ndaj Vuçiq: Kosova është shtet i pavarur dhe sovran
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, gjatë prezantimit të strategjisë “Serbia 2030”, duke i cilësuar pretendimet se Kosova është pjesë e Serbisë si vazhdim i një narrative që mohon realitetin dhe rrezikon stabilitetin rajonal.
“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran me institucione legjitime. Ky realitet është i pakthyeshëm dhe nuk mund të ndryshohet përmes deklaratave politike”, ka theksuar Maqedonci.
Ministri ka shprehur shqetësim edhe për planet e Serbisë për rritjen e shpenzimeve ushtarake, investimet në armatim dhe zhvillimin e industrisë së dronëve.
Ai ka vënë në dukje se këto zhvillime, të shoqëruara me pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe me retorikë si projekti “Bota Serbe”, rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Maqedonci ka përmendur edhe sulmin e armatosur në Banjska si shembull të veprimeve destabilizuese dhe ka theksuar se siguria dhe sovraniteti i Kosovës janë të panegociueshme.


