
Man City i kthehet fitoreve, vazhdon gara e ‘nxehtë’ për titull
Manchester City rikthehet te fitorja në Premier League, pasi mposhti bindshëm Brentford me rezultatin 3-0 në “Etihad Stadium”, të shtunën duke ushtruar sërish presion ndaj kreut të tabelës.
Pas barazimit dramatik 3-3 ndaj Everton disa ditë më parë, skuadra e Pep Guardiola reagoi në mënyrën më të mirë, duke dominuar pjesën më të madhe të takimit dhe duke vazhduar serinë pozitive në shtëpi.
Megjithatë, sfida nisi më mirë për mysafirët, të cilët krijuan rastin e parë të rrezikshëm pas një rivënieje të gjatë nga Michael Kayode, që shkaktoi konfuzion në zonën e Cityt.
Vendasit u zgjuan gradualisht dhe rrezikuan disa herë me Erling Haaland, por sulmuesi norvegjez nuk arriti të shfrytëzonte rastet në pjesën e parë.
Njeriu i ndeshjes ishte pa dyshim Jeremy Doku, i cili zhbllokoi sfidën në minutën e 60-të me një gol fantastik nga krahu i majtë, duke dërguar topin në cepin e portës me një goditje të bukur teknike.
Pas golit të parë, Brentford humbi ritmin dhe City mori kontrollin total të lojës. Me 15 minuta nga fundi, Haaland gjeti më në fund rrjetën, duke shënuar nga afër pas një aksioni të rrëmujshëm në zonë.
Në minutat e fundit, Omar Marmoush vulosi triumfin 3-0 pas asistimit të Haaland, duke kompletuar një mbrëmje perfekte për kampionët në fuqi.
Me këtë fitore, Manchester City shkon në kuotën e 74 pikëve, dy me pak se lideri i tabelës, Arsenal, por që këta të fundit nesër sfidojnë West Hamin.
Nga ana tjetër, Brentford mbetet ende në garë për një vend në Evropë, me dy ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit.

