Man City e mendon Enzo Marescan pasardhës të Pep Guardiolës

Man City e mendon Enzo Marescan pasardhës të Pep Guardiolës

Enzo Maresca po përmendet gjithnjë e më shumë si pasardhës i mundshëm i Pep Guardiolës në stolin e Manchester Cityt.

Trajneri italian, i cili mori drejtimin e Chelseat në verën e vitit 2024, ka kontratë me klubin londinez deri në qershor të vitit 2029, me opsion për zgjatje edhe për një vit tjetër.

Megjithatë, emri i tij tashmë është futur në orbitën e “qytetarëve” si zëvendësues ideal i Guardiolës.

Pep Guardiola, nga ana tjetër, është i lidhur me Manchester Cityn deri në verën e vitit 2027, por ka lënë të kuptohet se pas përfundimit të kësaj kontrate planifikon të bëjë një pauzë nga futbolli.

“Pas kontratës sime me Cityn, do të ndalem. Jam i sigurt për këtë. Nuk e di nëse do të pensionohem, por do të bëj një pushim,” ka deklaruar trajneri katalanas.

Sipas gazetarit të njohur David Ornstein, drejtuesit e Manchester Cityt e shohin Marescan si pasuesin perfekt të Guardiolës, çka mund të sjellë një emërim befasues në verën e ardhshme.

Maresca ka qenë më herët pjesë e stafit teknik të Cityt dhe konsiderohet si një trajner që ndjek të njëjtën filozofi loje si Guardiola.

Nëse ky skenar realizohet, do të ishte një nga lëvizjet më të bujshme në futbollin evropian.

Share This