
Gërvalla lëshon komunikatë pas dorëheqjes së Avdylit: Askush nga Guxo s’është përfshirë në linçime ndaj Presidentes
Kryetarja e Guxo, Donika Gërvalla Schwarz lëshoi një komunikatë të partisë që drejton duke thënë se e kuptoi “nga mediat dhe rrjetet sociale” që Haxhi Avdyli dha dorëheqje nga partia për shkak të, siç tha, fushatë linçuese ndaj presidentes Vjosa Osmani.
Ajo tha se Guxo e pranon dorëheqjen e tij dhe e falënderon Avdylin për kontributin, por shtoi se “askush nga Partia Guxo nuk është përfshirë dhe nuk përfshihet as në debate të ulëta dhe as në linçime publike të askujt e aq më pak të Presidentes së Republikës”.
“Nga media dhe nga rrjetet sociale, kemi kuptuar se deputeti Haxhi Avdyli, paska dhënë sot dorëheqje nga Partia Guxo. Kryesia e Partisë Guxo e pranon këtë dorëheqje dhe e sheh si të drejtën dhe zgjedhjen e tij të vullnetshme dhe të pakontestueshme. Në të njëjtën kohë, në emër të anëtarësisë dhe perkrahësve, Partia Guxo e falenderon deputetin Avdyli për rrugëtimin e përbashkët të derikëtushëm si dhe kontributin që ka dhënë për Partinë Guxo. Si kryesi e Partisë Guxo i dëshirojmë shëndet dhe elan për punë të mbara e shumë suksese në angazhimet e ardhshme profesionale!”, thuhet në komunikatën e postuar nga Gërvalla.
“Në fund, për shkak të disa pretendimeve për motivet e dorëheqjes, e ndjejmë obligim të konfirmojmë se askush nga Partia Guxo nuk është përfshirë dhe nuk përfshihet as në debate të ulëta dhe as në linçime publike të askujt e aq më pak të Presidentes së Republikës. Partia Guxo angazhohet me ngulm për respektimin e rendit, ligjit dhe kushtetueshmërisë në të gjitha zhvillimet në vend duke përfshirë edhe zhvillimet e fundit”, thuhet në fund të komunikatës, raporton GE.
Haxhi Avdyli, deputet në disa legjislstura, dha dorëheqje nga Guxo “në shenjë proteste dhe për të mos u identifikuar me këtë fushatë të ulët”, që tha se e ka prekur shumë.


