LVV-ja arrin në 52 ulëse, mbi 40 mijë vota ende pa u numëruar

LVV-ja arrin në 52 ulëse, mbi 40 mijë vota ende pa u numëruar

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur në 52 mandate parlamentare pas numërimit të votave nga diaspora dhe përfaqësitë diplomatike, ndërsa procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar.

Sipas rezultateve të deritanishme, VV-ja prin me 45.89 për qind të votave, duke siguruar 52 ulëse në Kuvend. Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 22 mandate dhe 19.96 për qind të votave, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka 19 ulëse me 17.04 për qind. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 7 mandate me 6.89 për qind të votave, raporton rtk.

Megjithatë, rezultati përfundimtar mbetet i hapur, pasi ende presin të numërohen rreth 35 mijë vota me postë dhe afro 11 mijë vota me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

Tri numërimet e deritashme kanë prodhuar trendë të ndryshëm. Në fazën preliminare, Vetëvendosje kishte siguruar 42.96 për qind të votave ose 48 ulëse, ndërsa në votimin në përfaqësitë diplomatike mori mbi 83 për qind të votave. Në votat e ardhura me postë, mbështetja për partinë arriti në 70.26 për qind.

Sipas analizave të deritanishme, mundësia që VV-ja të fitojë edhe një mandat shtesë varet nga ruajtja e trendit të lartë në votat që kanë mbetur pa u numëruar.

Që VV-ja të marrë edhe një ulëse i duhet të mbajë trendin prej më shumë se 70 për qind në numërimin me postë dhe të votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

Share This