
Lufta Ukrainë-Rusi, Trump takohet sot me Vladimir Putin, mungon Zelensky. Nisin protestat në mbështetje të Kievit
Presidenti amerikan Donald Trump do të takohet këtë të premte (15 gusht) në Alaska me homologun rus Vladimir Putin, me qëllim ndërmjetësimin e një marrëveshje mes Rusisë e Ukrainës që do t’i jepte fund luftës mbi 3-vjeçare.
Por në takimin e sotëm mes Putin e Trump, mungon një prej palëve kyçe, Presidenti ukrainas Volodyr Zelensky.
Ky i fundit ka deklaruar se çdo marrëveshje e arritur pa përfshirjen e vendit të tij do të jetë “vendim i vdekur”. Aleatët e tij evropianë kanë thënë gjithashtu se nuk do të pranojnë një marrëveshje me të cilën Ukraina nuk është pajtuar.
Udhëheqësi ukrainas do të presë pranë telefonit një telefonatë nga Trump për të mësuar nëse, siç shpreson presidenti amerikan, Putin është i gatshëm të arrijë një “marrëveshje të drejtë”.
Në samitin e sotëm që pritet të nisë në orën 17:00 me orën në Shqipëri, do të marrin pjesë Presidenti Donald Trump, zv.presidenti J. D. Vance, Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Sekretari i Thesarit Scott Bessent dhe i dërguari special Steve Witkoff. Nga ana e Rusisë, prezentë në samit do të jenë Presidenti Vladimir Putin, Ministri i Mbrojtjes Andrey Belousov, Ministri i Jashtëm Sergey Lavrov, Ministri i Financave Anton Siluanov, ndihmësi i presidentit Yuri Ushakov, dhe i dërguari special i presidentit Kirill Dmitriev.
Trump deklaroi një ditë më parë se kishte 25% shanse që bisedimet të mund të dështojnë.
Sakaq, në vijën e frontit, Ukraina është duke u përgatitur kundër një sulmi të forcave ruse në ditët e fundit në rajone kyçe. Ukraina urdhëroi evakuimin e familjeve me fëmijë nga qyteti Druzhkivka në rajonin e Donetskut, ndërsa luftimet intensive vazhduan në zonë
E teksa sytë sotë janë drejtuar nga takimi Trump-Putin, protestuesit në Ukrainë kanë dalë në mbështetje të vendit të tyre, në Anchorage përpara samitit.
Protestuesit valëvizin flamuj ukrainas, ndërsa shpalosin gjithashtu një banderolë të madhe me mbishkrimin “Alaska qëndron me Ukrainën”. /rtsh/


