
Llapi zyrtarizon transferimin e Arbnor Aliut
Llapi ka zyrtarizuar afrimin e mbrojtësit të qendrës, Arbnor Aliu, i cili ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me opsion rinovimi edhe për një vit tjetër.
Njëzet e dy vjeçari rikthehet në Kosovë pas një karriere të gjatë në Gjermani, ku ka qenë pjesë e klubeve ESV Eintracht Hameln, HSC/BW Tündern, Hannover 96, FC Schalke 04 dhe së fundmi Holstein Kiel II.
Transferimi është realizuar pas marrëveshjes me Holstein Kiel II, ku Aliu ishte ende nën kontratë. Në arenën ndërkombëtare, ai ka përfunduar të gjitha grupmoshat e reja me Kombëtaren e Gjermanisë (U15–U18), si dhe ka zhvilluar dy ndeshje me Kosovën U21.
“Aliu i është bashkuar zyrtarisht Llapit, i bindur nga projekti dhe ambiciet e klubit. Ai pritet të jetë një shtyllë e rëndësishme në mbrojtje dhe të japë kontribut të madh në objektivat e skuadrës për vazhdimin e sezonit”, ka shkruar skuadra nga Podujeva.


