
LDK bën thirrje për mobilizim të plotë në Prizren, në mbështetje të Shaqir Totajt
Në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Prizren, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka bërë një thirrje për mobilizim të plotë të strukturave dhe mbështetësve të saj, në përkrahje të kandidatit për kryetar të komunës, Shaqir Totaj, në kuadër të marrëveshjes së bashkëqeverisjes LDK–PDK.
“Nesër është dita vendimtare për ta dëshmuar angazhimin tonë në kuadër të marrëveshjes së bashkëqeverisjes LDK–PDK, dhe për ta mbështetur z. Totaj për kryetar të Prizrenit,” thuhet në njoftimin zyrtar të partisë.
LDK u ka kërkuar të gjitha strukturave që të jenë të pranishme dhe aktive gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve, duke theksuar rëndësinë e çdo vote.
“Ju lusim që gjatë ditës së nesërme të aktivizoheni maksimalisht, të kontaktoni kryesitë e nëndegëve dhe përkrahësit tanë, dhe të sigurohemi që çdo votë e jona të jetë e pranishme dhe e numëruar,” theksohet më tej në komunikatë.
Në fund, partia ka përcjellë një mesazh për unitet dhe bashkëpunim, duke e cilësuar ditën e nesërme si moment vendimtar:
“Ky është momenti për angazhim dhe për fitore të përbashkët. Fitore✌️”

