Kurti uron Vitin e Ri: Sapo ta formojmë Qeverinë, do marrim këto vendime

Kurti uron Vitin e Ri: Sapo ta formojmë Qeverinë, do marrim këto vendime

Në një videoadresim për qytetarët, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, uroi për fundvit dhe për Vitin e Ri 2026, duke bërë një bilanc të këtij viti.

“Viti 2025 ka qenë vit i njohjeve të reja. Për herë të parë pas më shumë se dhjetë vjetësh, katër shtete të reja, të shtrira në tri kontinente të ndryshme, e njohën Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Vitin 2026 e fillojmë me zell edhe më të madh dhe me qëllim gjithmonë të qartë. Sapo të certifikohen rezultatet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do ta konstituojmë menjëherë Kuvendin, do ta formojmë qeverinë menjëherë pas kësaj dhe, pa humbur aspak kohë”, tha Kurti.

Adresimi i plotë:

Të dashur qytetarë, 

E nisëm vitin me zgjedhje, e mbyllëm po ashtu me zgjedhje. Katër palë zgjedhje gjithsej, duke përfshirë edhe raundin e balotazhit në 17 komuna. Secila ishte e lirë, e rregullt, pa incidente dhe me rezultate të pranuara nga të gjithë. Kosova më nuk ka nevojë ta kalojë testin e demokracisë. Kosova është tashmë shembull i demokracisë.

Ju falënderoj për angazhimin dhe mirëkuptimin. Ju përgëzoj për pjekurinë e lartë politike dhe qytetare. Jam i nderuar tejmase për besimin që na keni dhënë për të vazhduar shërbimin ndaj jush si njerëz të këtij vendi dhe ndaj vendit si Republikë sovrane, me përkushtim dhe përpikëri, edhe për katër vitet e ardhshme.

Ndërkohë, përkundër sfidave që vetëm sa na gjallërojnë e maturojnë si shoqëri dhe si institucione, shumë gjëra kanë ecur mbarë e pa pengesa.

Viti 2025 ka qenë vit i njohjeve të reja. Për herë të parë pas më shumë se dhjetë vjetësh, katër shtete të reja, të shtrira në tri kontinente të ndryshme, e njohën Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Kujdesi dhe mbështetja për nënat lehona, pensionistët dhe studentët vetëm sa u rritën.

Ushtria u forcua me armatime të reja nga vende partnere dhe anëtare të NATO-s. Të qenit edhe nikoqir përveçse pjesëmarrës në Defender Europe 25 është moment historik për Kosovën.

Rendi dhe ligji mbizotëruan në çdo cep të Republikës.

Masat e padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës u hoqën.

Vitin 2026 e fillojmë me zell edhe më të madh dhe me qëllim gjithmonë të qartë. Sapo të certifikohen rezultatet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do ta konstituojmë menjëherë Kuvendin, do ta formojmë qeverinë menjëherë pas kësaj dhe, pa humbur aspak kohë:

– do të miratojmë buxhetin për vitin e ardhshëm në vlerë prej 4 miliardë euro dhe ligjin e ri për çmimet tavan për produktet bazë, me të cilin do ta frenojmë abuzimin dhe rritjen e çmimeve;

– do ta ndajmë pagën e premtuar të 13-të për shërbyesit publik në administratën shtetërore, dhe atë në fillim të vitit;

– do ta heqim kufizimin e punësimit për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mënyrë që ata të mos kenë nevojë të zgjedhin ndërmjet vendit të punës dhe beneficioneve nga shteti;

– do ta miratojmë Pakon për Përballje me Inflacionin 2.0, në vlerë prej 200 milionë euro, nga e cila përveç fëmijëve dhe pensionistëve, përfitojnë studentët, punëtorët e sektorit privat dhe familjet që kursejnë energjinë elektrike.

Ju uroj mbrëmje të këndshme, kremtim të paharrueshëm, me familjen dhe miqtë. Jam zotuar para jush për siguri dhe begati. Ju siguroj një Vit të Ri të sigurt dhe të begatë.
Natën e mirë e mirupafshim.

Share This