
Kurti takon kongresistët amerikanë, temë siguria dhe zhvillimin ekonomik
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim delegacionin bipartizan të kongresistëve amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam.
Gjatë takimit, Kurti theksoi rëndësinë e paqes dhe sigurisë në rajon, duke e konsideruar mbrojtjen si një nga prioritetet kryesore të Kosovës.
Ai falënderoi delegacionin për përkrahjen ndaj anëtarësimit të Kosovës në NATO, në veçanti për Rezolutat 1246 dhe 1250 të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilat mbështesin aspiratat e vendit për t’u bërë pjesë e Aleancës dhe kërkojnë vazhdimin e kontributit amerikan në kuadër të KFOR-it, njofton zyra per media e Kryeministrit.
Kryeministri në detyrë vuri theksin edhe te përputhshmëria e politikës së jashtme të Kosovës me atë të partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa diskutoi edhe për investimet në mbrojtje, zhvillimin e teknologjisë, rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe reformat në arsim, raporotn rtk.
Në kontekstin rajonal, duke përmendur vizitën e kongresistëve në Luginën e Preshevës, Kurti theksoi se është e nevojshme që pakicat në Ballkanin Perëndimor të kenë të drejta të krahasueshme në të gjitha shtetet.

