Kurti takohet me Plenkoviqin në Jerevan, theksohet forcimi i bashkëpunimit dhe aleancave

Kurti takohet me Plenkoviqin në Jerevan, theksohet forcimi i bashkëpunimit dhe aleancave

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim bilateral me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, në kuadër të European Political Community Summit të mbajtur në Yerevan.

Sipas një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, në këtë takim u konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, të cilat, siç u theksua, janë ndërtuar mbi “partneritet të qëndrueshëm, miqësi të sinqertë dhe bashkëpunim të gjithanshëm”.

Gjatë bisedës, Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë Kosovës ndër vite, veçanërisht në proceset integruese dhe në forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit.

“Mbështetja e Kroacisë ka qenë dhe mbetet e rëndësishme për avancimin e agjendës euro-atlantike të Kosovës dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar”, citohet të ketë thënë Kurti.

Në anën tjetër, kryeministri kroat Plenkoviq vlerësoi bashkëpunimin dypalësh dhe ritheksoi përkushtimin e Zagrebit për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.

“Ne mbështesim vazhdimisht Kosovën në proceset e saj integruese dhe inkurajojmë thellimin e reformave që e afrojnë vendin me Bashkimin Evropian”, thuhet të ketë deklaruar Plenkoviq.

Bashkëbisedimi u përqendrua gjithashtu në zhvillimet aktuale në Evropë dhe më gjerë, me theks të veçantë te sfidat e sigurisë dhe nevoja për koordinim më të madh ndërmjet shteteve që ndajnë vlera të përbashkëta demokratike.

Të dy liderët theksuan rëndësinë e forcimit të aleancave dhe bashkëpunimit politik në funksion të ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në rajon dhe në kontinent.

Share This