Kurti përmbyll 2025-n me 10 zhvillime kyçe për Kosovën

Kurti përmbyll 2025-n me 10 zhvillime kyçe për Kosovën

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë një bilanc të vitit 2025, duke renditur dhjetë zhvillime që sipas tij përbëjnë lajmet më të mira për qytetarët dhe vendin, pavarësisht sfidave të shumta me të cilat është përballur Kosova gjatë vitit.

Në një postim në rrjetet sociale, Kurti ka theksuar avancimet në mbështetjen sociale, forcimin e sigurisë, zhvillimet ndërkombëtare dhe investimet në sektorët kyç si energjia, shëndetësia dhe arsimi.

Një nga vendimet më të rëndësishme ka qenë rritja e shtesave për nënat lehona, nga 170 euro në 325.9 euro, si dhe rritja e pagesës së pushimit të lehonisë nga Qeveria, nga 223 euro në 319.5 euro. Po ashtu, është rritur pensioni bazik në 150 euro.

Në fushën e sigurisë, Kurti ka përmendur forcimin e Ushtrisë së Kosovës me pajisje moderne, përfshirë dronët amerikanë Puma, dronët luftarakë turq Skydagger dhe sistemin antitank gjerman Panzerfaust 3.

Në planin ndërkombëtar, ai ka theksuar katër njohje të reja për Kosovën, përmirësimin e fuqisë së pasaportës në indekset ndërkombëtare dhe heqjen e masave të Bashkimit Evropian, të cilat i ka cilësuar si të padrejta.

Si projekte infrastrukturore, kryeministri ka veçuar ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë – një për këmbësorë dhe një për automjete – si dhe përurimin e Depos së Re Qendrore të Barnave pas më shumë se dy dekadash.

Në arsim dhe energji, Kurti ka përmendur anëtarësimin e Kosovës me të drejta të plota në EQAR, vazhdimin e programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit me një grant amerikan prej 202 milionë dollarësh për investime në energji, si dhe Bursën e Mobilitetit për Studentë, një mbështetje e re për studentët që ndjekin studimet jashtë vendit.

Ai ka theksuar gjithashtu se Kosova është hequr nga listat e FMN-së dhe Bankës Botërore të shteteve në Situata të Brishta dhe Konflikti, duke e cilësuar këtë si një tregues të përparimit institucional dhe ekonomik të vendit.

Këto zhvillime sipas Kurtit tregojnë një vit të suksesshëm për Kosovën, me përmirësime të ndjeshme sociale, ekonomike dhe infrastrukturore, pavarësisht sfidave që vendi ka përballuar gjatë 2025-s.

Share This