
Kurti për gërmimet në Kalludër: Serbia nuk do ta ndalë Kosovën në kërkimin e së vërtetës dhe drejtësisë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me nisjen e gërmimeve në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ku dyshohet se ndodhet një varrezë masive me mbetjet mortore të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Përmes një postimi në platformën sociale “X”, Kurti bëri të ditur se autoritetet e Republikës së Kosovës kanë filluar gërmimet në lokacionin ku dyshohet se janë fshehur mbetjet mortore të një grupi prej 23 intelektualësh nga Mitrovica – mjekë, profesorë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut – të cilët u rrëmbyen dhe u zhdukën më 19 prill 1999.
Ai theksoi se, edhe më shumë se një çerek shekulli pas përfundimit të luftës së viteve 1998–1999, familjet e 1,565 personave të zhdukur me dhunë, përfshirë mbi 100 fëmijë, vazhdojnë të jetojnë me ankth dhe pasiguri për fatin e më të dashurve të tyre.
“Pengimi i vazhdueshëm nga Serbia i përpjekjeve për të zbardhur fatin e këtyre njerëzve të pafajshëm nuk do ta ndalë Republikën e Kosovës në kërkimin e së vërtetës dhe drejtësisë”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, institucionet e Kosovës mbeten të palëkundura në përkushtimin për të gjetur çdo person të zhdukur, për të zbuluar çdo varrezë të fshehur dhe për t’i vënë para përgjegjësisë autorët e krimeve, në mënyrë që familjet e viktimave të gjejnë më në fund paqe dhe ngushëllim.

