Kurti për 1 Maj: Rritëm pagën minimale dhe fuqizuam punëtorët në Kosovë

Kurti për 1 Maj: Rritëm pagën minimale dhe fuqizuam punëtorët në Kosovë

Me rastin e 1 Majit, Ditës së Punëtorëve, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar lartë kontributin e punëtorëve në ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës, derisa premtoi se nga 1 korriku paga minimale do të arrijë në 500 euro.

Kurti tha se qytetarët e Kosovës kanë ruajtur një raport të veçantë me punën, edhe në periudha të vështira historike. Ai përmendi periudhën e okupimit, kur puna, pavarësisht përjashtimit nga institucionet formale, u shndërrua në formë qëndrese dhe organizimi shoqëror. Sipas tij, punëtori mbetet sot shtylla kryesore e shtetndërtimit të Kosovës.

Kryeministri në detyrë theksoi se 1 Maji nuk duhet parë vetëm si ditë simbolike, por edhe si pasqyrim i gjendjes aktuale të të drejtave të punëtorëve në botë dhe në vend. Ai iu referua raporteve ndërkombëtare të sindikatave, të cilat, sipas tij, tregojnë për përkeqësim të të drejtave të punëtorëve në vitin 2025, rritje të punës afatshkurtër dhe zgjerim të pasigurisë në tregun e punës, veçanërisht përmes platformave digjitale dhe automatizimit.

Kurti theksoi se këto zhvillime globale ndikojnë drejtpërdrejt edhe në Kosovë, ku, sipas tij, politikat qeveritare janë orientuar drejt përmirësimit të kushteve të punës dhe mbrojtjes së punëtorëve.

Në këtë drejtim, ai përmendi rritjen e pagës minimale nga 170 euro në 425 euro, me paralajmërimin se nga 1 korriku ajo do të arrijë në 500 euro. Sipas tij, kjo reformë ka prekur drejtpërdrejt rreth 150 mijë punëtorë, kryesisht në sektorin privat, raporton rtk.

Po ashtu, ai përmendi vendosjen e pagës së 13-të për sektorin publik, si dhe thirrjet drejtuar sektorit privat për ndjekjen e këtij shembulli. Kurti foli edhe për programin “Superpuna”, i cili subvencionon punësimin e të rinjve, duke bërë të mundur punësimin e mbi 23 mijë të rinjve dhe përfshirjen e mijëra bizneseve.

Në fjalën e tij, ai ndali vëmendjen edhe te mungesa e organizimit sindikal në sektorin privat, duke e cilësuar atë si një nga sfidat kryesore për përmirësimin e të drejtave të punëtorëve në Kosovë.

Kurti përmendi gjithashtu masat sociale të ndërmarra nga qeveria, përfshirë shtesat për fëmijë dhe nënat lehona, rritjen e pensioneve nga 90 në 150 euro, si dhe programet mbështetëse për familjet pa të punësuar dhe për gratë në tregun e punës.

Ai theksoi se gjatë mandatit të qeverisë është shënuar rritje e ndjeshme e punësimit, duke e krahasuar numrin e të punësuarve nga rreth 350 mijë në rreth 435 mijë.

Kurti foli për miratimin e projektligjit për sigurimet shëndetësore, si dhe për paketën antinflacion që, sipas tij, është bllokuar në Kuvend nga opozita.

Ai tha se social-demokracia është angazhim i vazhdueshëm për vendosjen e punëtorëve dhe qytetarëve në qendër të politikave publike, ndërsa ritheksoi zotimin e qeverisë për vazhdimin e përmirësimit të standardeve të punës në Kosovë.

Ndërsa në fillim të këtij mesazhi ai kujtoi se 1 Maji, i lindur në vitin 1886 në Çikago, përfaqëson një nga momentet më të rëndësishme të historisë së të drejtave të punëtorëve, kur ata marshuan për kërkesën e orarit të punës prej tetë orësh, tetë orë pushim dhe tetë orë jetë për veten. Ai theksoi se kjo kërkesë, e cila sot konsiderohet bazike, atëherë u fitua me sakrifica të mëdha, përfshirë edhe humbje jetësh.

Sipas tij, çdo e drejtë që gëzohet sot në botën demokratike, nga fundjavat, tek standardet e sigurisë në punë, është rezultat i përpjekjeve të punëtorëve që nuk pranuan kushte të padrejta. Në këtë kuptim, 1 Maji, siç u shpreh ai, mbetet rikujtim i përvitshëm se të drejtat nuk dhurohen, por fitohen dhe mbrohen vazhdimisht.

Share This