Kurti në Shtime: Po realizohen investime të rëndësishme në infrastrukturë

Kurti në Shtime: Po realizohen investime të rëndësishme në infrastrukturë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se në komunën e Shtimes janë duke u realizuar projekte të rëndësishme infrastrukturore, të financuara si nga qeveria qendrore ashtu edhe nga vetë komuna.

Ai tha se së bashku me kryetarin Qemajl Aliu ka vizituar fshatin Vojnoc, ku po zhvillohen punimet për rivitalizimin e rrugës “Ibrahim Shabani”.

Kjo rrugë, e gjatë dy kilometra dhe e gjerë pesë metra, lidh Shtimen me Ferizajn dhe Lipjanin, ndërsa projekti kap vlerën prej rreth 420 mijë eurosh dhe financohet nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Më pas, Kurti ka marrë pjesë në përurimin e trasenë që lidh rrugën “12 Qershori” me “William Walker”, pjesë e unazës së vogël të qytetit. Ky investim, në vlerë gati gjysmë milioni euro, përfshin një trase 375 metra të gjatë dhe gjashtë metra të gjerë, të pajisur me infrastrukturë përcjellëse si kanalizimi atmosferik, ndriçimi publik dhe trotuaret anësore.

“Faleminderit për mikpritjen e ngrohtë. Përgëzime për punën që po bëhet dhe urime, pikësëpari, banorëve dhe qytetarëve të Shtimes”, u shpreh Kurti.

Share This