Kurti: Kosova ndër vendet më të sigurta në botë për investime – reagim i ashpër nga Hymete Bajrami

Kurti: Kosova ndër vendet më të sigurta në botë për investime – reagim i ashpër nga Hymete Bajrami

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova renditet ndër vendet më të sigurta në botë për të investuar. Sipas tij, nga 226 shtete, vendi është pozicionuar në vendin e 26-të, sipas Indeksit Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve, të publikuar nga organizata Henley & Partners.

“Kosova është në mesin e shteteve më të sigurta në botë për të investuar,” ka thënë Kurti, duke theksuar se kjo renditje tregon stabilitetin ekonomik dhe potencialin investues të vendit.

Mirëpo, pas kësaj deklarate ka ardhur një reagim i ashpër nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hymete Bajrami, e cila e ka ironizuar Kurtin për përdorimin e një organizate që, sipas saj, “e rendit Kosovën para Belgjikës, Francës, SHBA-së dhe Japonisë”.

“Albin ‘gjeniu’ e paska gjetë një organizatë që e rendit Kosovën para superfuqive ekonomike për qëndrueshmërinë e investimeve. Po, në kohën që jetojmë, edhe organizata të tilla mund të gjenden, por indeksimi nuk e ndryshon realitetin ekonomik,” ka shkruar Bajrami në një postim në rrjetet sociale.

Ajo ka akuzuar Qeverinë Kurti për mungesë transparence dhe për keqmenaxhim ekonomik, duke përmendur rritjen e çmimit të energjisë elektrike për bizneset deri në 300%, rritjen e deficitit tregtar në 5.4 miliardë euro, ikjen e mbi 250 mijë qytetarëve, si dhe mangësi të theksuara në investimet kapitale.

“Realiteti është se Kosova është nën masa ndëshkuese të BE-së, nuk ka qasje në fondet e Planit të Rritjes, dhe mbi të gjitha – jemi vend pa Qeveri funksionale,” ka shtuar ajo.

Në fund të reagimit, Bajrami ka sfiduar Kurtin që të përballet me të “në një studio televizive, me argumente, për atë që i ka bërë ekonomisë së vendit”.

Deputetja e LDK-së gjithashtu ka vënë në dyshim reputacionin e organizatës Henley & Partners, duke iu referuar raportimeve të “The Guardian” për aktivitetet e saj në të kaluarën.

Share This