
Kryeziu: Nuk ka dënime kolektive as në gjykatat më të larta ndërkombëtare
Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka deklaruar se në sistemin e drejtësisë ndërkombëtare nuk ekziston praktikë e dënimeve kolektive, as në gjykatat më të larta, përfshirë edhe Gjykatën e Hagës.
Sipas tij, edhe në rastet më të rënda të krimeve ndërkombëtare, si gjenocidi në Srebrenicë, përgjegjësia penale është trajtuar gjithmonë individualisht, duke u bazuar në rolin, vendimet dhe veprimet konkrete të secilit të akuzuar.
“Edhe në rastin e Srebrenicës, askush nuk është dënuar ‘në bllok’, megjithëse të gjithë ishin pjesë e një strukture komandimi që organizoi gjenocidin”, ka thënë Kryeziu.
Ai ka kritikuar ashpër kërkesën e Prokurorisë në Gjykatën Speciale, që katër të akuzuarit të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, duke e cilësuar këtë si një shkelje të parimeve themelore të drejtësisë.
“Kjo është një kërkesë skandaloze për standardet e drejtësisë. Më shumë ngjan me një kërkesë politike për dënim kolektiv, sesa me një kërkesë juridike për drejtësi”, ka shkruar Kryeziu në një postim në Facebook.

