Krasniqi: Sot do t’i drejtohemi Kushtetueses, 3 seancat e fundit me shkelje

Krasniqi: Sot do t’i drejtohemi Kushtetueses, 3 seancat e fundit me shkelje

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi pas dështimit të 41-të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se do t’i drejtohen sot Gjykatës Kushtetuese për, siç tha, shkeljet e qëllimshme të Lëvizjes Vetëvendosje në tri seancat e fundit konstituive.

“Sot Partia Demokratike e Kosovës do të dorëzojë te Gjykata Kushtetuese një rast të ri, për të cilën shpresojmë se do ta trajtojë me urgjencën e nevojshme meqenëse i kemi vetëm edhe 23 ditë deri në përmbylljen e afatit për konstituimin e Kuvendit”, ka thënë ai.

Ai akuzoi LVV-në e ka uzurpuar dhe i ka marrë peng institucionet e vendit.

“Tri vazhdimet e fundit të seancës konstituive kanë qenë shkelje e qëllimshme dhe me vetëdije nga ana e kryesuesit të seancës, me instruksione të partisë së tij. S’mund të qëndrojmë duarkryq”, ka thënë Krasniqi, raporton rtk.

Për herë të 41-të ka dështuar përpjekja për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në votimin për Komisionin për votim të fshehtë nga deputetët 99 sa ishin në sallë, 54 votuan për, kundër dhe abstenim nuk pati.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka obliguar Kuvendin e ri që të konstituohet brenda 30 ditëve nga mbledhja e tij e parë. Megjithatë, që nga publikimi i këtij vendimi më 26 qershor, partitë nuk kanë arritur marrëveshje për zgjidhjen e situatës.

Share This