
Konjufca takon zyrtarin e Nordrhein-Westfalenit, diskutohet për Kosovën dhe diasporën
Zëvendëskryeministri dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një takim me Christian Wiermer, Sekretar i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të landit federal të Nordrhein-Westfalenit në Gjermani.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, gjatë takimit është diskutuar për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Nordrhein-Westfalenit, si dhe për perspektivën evropiane të Kosovës.
Një pjesë e rëndësishme e bisedës i është kushtuar edhe diasporës kosovare në Nordrhein-Westfalen, e cila përbën një nga komunitetet më të mëdha të bashkatdhetarëve në Gjermani.
MPJD-ja e ka vlerësuar diasporën si një urë të rëndësishme lidhëse ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke nënvizuar rëndësinë e rolit të saj në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

