
Konjufca: Kërkojmë trajtim të barabartë e të drejtë nga BE-ja, të nisin negociatat për anëtarësim
Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Kosova kërkon trajtim të barabartë dhe të drejtë nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se vendi është i gatshëm të ecë përpara brenda një procesi meritokratik.
Sipas tij, ky proces nënkupton që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat dhe të nisë negociatat për anëtarësim në BE.
“Gjithashtu, ne duam të kemi një trajtim të barabartë dhe të drejtë nga BE-ja, ne si Kosovë jemi gati të lëvizim dhe të avancojmë brenda këtij kuadri të procesit bazuar në merita. Në të njëjtën kohë, ajo që mendojmë është se çfarë do të thotë në të vërtetë ky proces bazuar në merita është që Kosova të ketë statusin e vendit kandidat dhe të nisë negociatat për anëtarësim në BE”, ka thënë Konjufca para fillimit të takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor të hënën në Bruksel.
Konjufca ka thënë se hapi i parë drejt këtij qëllimi është pyetësori i BE-së.
Ai gjithashtu ritheksoi ndikimin e Rusisë në minimin e sigurisë jo vetëm të Ballkanit, por edhe të Evropës.
“Ajo që në të vërtetë po minon arkitekturën e sigurisë së Ballkanit Perëndimor, por edhe të gjithë Evropës, është ndikimi i keq i Rusisë në rajonin tonë, dhe prandaj mendoj se një Bashkim Evropian i bashkuar dhe i zgjeruar duhet të shihet gjithmonë nga perspektiva e nevojës strategjike”, ka thënë ai.
Për dialogun me Serbinë, Konjufca theksoi se duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë.
“Sa i përket dialogut me Serbinë, Kosova gjithmonë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë konstruktive në dialog, por dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë. Le të fillojmë duke pasur pyetësorin, ky është hapi i parë. Pres me shumë optimizëm rezultate konkrete”, është shprehur ai.

