
Kongresistët amerikanë në Kosovë, fokus NATO dhe siguria rajonale
Zhvillimet politike dhe çështjet e pakicave i sollën edhe në Prishtinë dy kongresistët, Ketih Self dhe Suhas Subramanyam, pas vizitës në Preshevë.
Delagacioni amerikan u prit paradite nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Për gazetarët nuk u deklaruan asnjëra palë, por pas takimit, Presidenca përmes një komunikate tregoi se çka është folur prapa dyerve të mbyllura.
Siç u bë e ditur, Haxhiu ka thënë se për Kosovën, anëtarësimi në NATO është çështje e sigurisë afatgjatë, paqes rajonale dhe pozicionimi të vendit mes shteteve demokratike.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të Kongresit Amerikan ndaj Republikës së Kosovës, duke theksuar se për popullin kosovar kjo mbështetje ka pasur rëndësi historike, politike dhe njerëzore.
Ajo ka falënderuar kongresistin Self për mbështetjen e tij të qartë ndaj rrugës së Kosovës drejt NATO-s, si dhe për vëmendjen ndaj të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Haxhiu tha se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara në siguri, mbrojtje, ekonomi, diplomaci dhe integrim euroatlantik.
Të dy kongresistët amerikan u pritën edhe në godinën qeveritare nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Në njoftimin e Kryeministrisë pas takimit u tha se temat kryesore për të cilat foli kryeministri në detyrë, me kongresistët amerikanë, ishin mbrojtja, përkatësisht paqja dhe siguria në rajon.
U tha se gjatë takimit theksi u vu edhe te përputhshmëria në politikën e jashtme.
Kurti ka falënderuar delegacionin për përkrahjen për anëtarësim në NATO, në veçanti për Rezolutat 1246 dhe 1250 të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilat mbështesin aspiratat e Republikës së Kosovës për t’u bërë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike dhe bëjnë thirrje që forcat amerikane të vazhdojnë të kontribuojnë në kuadër të KFOR-it.
Vizita vjen pas rezolutës së paraqitur nga Self, Torres dhe Lawler në Kongresin amerikan, që mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe u kërkon katër vendeve anëtare mosnjohëse, Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Spanjës, ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Rezoluta që mori mbështetje nga dy taborët politik në Amerikë, ndër të tjera thotë se qeverisja demokratike e Kosovës, mbikëqyrja civile e forcave të sigurisë dhe bashkëjetesa shumetnike përbëjnë një argument bindës për anëtarësimin në NATO.
Self dhe Subramanyam arritën në Kosovë pasditen e 26 majit, pasi qëndruan në Luginë të Preshevës ku u takuan me zyrtarë shqiptarë atje. /RTK/

